Skenari ka qenë i ngjashëm si sulmi i muajit të kaluar në shërbimin e popullarizuar Twitter kur hakerët i kanë drejtuar shfrytëzuesit në faqen e tyre me flamurin iranian, por edhe me porosinë e shkruar në gjuhën persiane.Hakerët iranianë të cilët në muajin dhjetor shkurtimisht kanë arritur ta paaftësojnë shërbimin Twitter kanë sulmuar edhe makinën më të popullarizuar kineze për kërkimin e internetit - Baidu. Grupi i cili paraqitet si cyber-ushtria iraniane të gjithë shfrytëzuesit e Baidu i ka drejtuar në faqen në të cilën është shfaqur flamuri iranian me porosinë: "Këtë faqe interneti e ka marrë përsipër cyber-ushtria iraniane".
Personat përgjegjës të makinës Baidu kanë konfirmuar sulmin. Analistët vlerësojnë se Baidu, si version kinez i Google, është shumë tërheqëse për hakerët sepse atë gjatë ditës e vizitojnë milionë njerëz.
Duket se hakerët iranianë me sulmet e tyre vetëm dëshirojnë të dërgojnë porosi politike sepse ndonjë dëm serioz nëpër kompjuterë të cilët i janë qasur makinës së kërkimit Baidu nuk është bërë.